Explore
Also Available in:

Një predikues rrugor thotë që krijimi ‘është çështja kyç

Është koha që kisha të pushojë së anashkaluari pyetjet për të cilat njerëzit duan përgjigje

nga Russell Wallace

Street preaching

Unë jam pastor dhe bëj pjesë në një grup që predikon dhe ungjillizon nëpër rrugët e Adelaide të Australisë së Jugut. Shumicën e të premteve mblidhemi natën në një qoshe të dendur të qytetit për të shpallur Ungjillin. Gjithsecili nga grupi është plotësisht i përkushtuar për këtë punë.

Megjithatë, kurdoherë që përmend midis të krishterëve të tjerë temën e predikimit rrugor të tipit të vjetër, shoh reagime mjaft të llojllojshme. Ndonëse disa përkrahin plotësisht përqasjen ‘e guximshme’ të të qëndruarit në një qoshe rrugësh për të shpallur fjalën e Perëndisë, të tjerë nuk janë aq entuziastë. Këta thonë se është ‘avaz i vjetër’ dhe i paefektshëm. Duket se kujtojnë se, po të mos shpëtohen njerëzit të premteve në mbrëmje, dhe/ose vijnë në kishë çdo të dielë, ky lloj ungjillizimi nuk ia vlen. Edhe pse ka disa mënyra se si mund të bëhemi gjithçka për të gjithë (1 Korintasit 9:22), predikimi nëpër rrugë ka disa avantazhe të prera, njëri prej të cilave është mundësia t’i dëgjosh njerëzit në turmë si dhe të futesh në bisedime me ta. Për habinë e disa njerëzve në kishë (të cilët besojnë se jobesimtarëve nuk u pëlqen të bisedojnë për ‘çështjet fetare’), shumë të jashtëm ndihen në fakt relativisht rehat kur u kërkojmë të na tregojnë pikëpamjet e tyre për Perëndinë, Biblën, fenë dhe tema të tjera.

Të njihemi me ‘opinionin e rrugës’

Midis të rinjve ka një temë të zakonshme e cila del në pah herë pas here. Kjo temë është evolucioni. Ndonëse nuk është aspak e vetmja temë që del në bisedë, është një nga më të rregulltat, dhe të rinjvë u pëlqen të bisedojnë rreth saj. Përse? Thjesht ngaqë është ajo që u është mësuar dhe që janë bindur të besojnë. Ndoshta është edhe mënyra më ‘e dobishme’ që mëkatarët e rinj ta refuzojnë Perëndinë me vetëdije që të justifikojnë jetesën e tyre.

Street preaching

Një natë, pata një bisedë me një djalosh 20 vjeç. Me krenari ai më tregoi që nuk besonte aspak në Perëndinë, duke shtuar që ishte anëtar i një grupi muzike rok. Ai nuk shihte dot asnjë vlerë që do të kishte Perëndia për jetën e tij. E pyeta nëse besonte tek evolucioni. Ai tha ‘po’, duke më vështruar sikur t’ia kisha bërë ndonjë pyetje ‘kurth’. Kur i thashë që nuk ka asnjë evidencë të padiskutueshme për evolucionin, shprehja e fytyrës iu ndryshua menjëherë në një shprehje shoku!

Po këtë reagim e kam përjetuar në shumë raste të tjera. Shumica e madhe e rinisë sonë ka gëlltitur gënjeshtrën e evolucionit. Duke u nisur nga përvoja ime, të fillosh bisedën me mesazhin e Pashkës (ta zëmë) tingëllon bukur, por ka shumë pak lidhje praktike me një kulturë të zhytur në humanizëm (ateist).

Një mbrëmje tjetër, kisha mbaruar punën me grup dhe po ecja në një rrugë me dyqane drejt stacionit të trenave. Kalova dy të rinj dhe nga biseda e tyre mora vesh që ishin studentë në shkollë të lartë. I dhashë njërit një broshurë dhe me mirësjellje fillova t’i bëja disa pyetje. Që të dy besonin se Perëndia ishte një ide personale por pa rëndësi për realitetin. Kjo përputhet drejtpërsëdrejti me pikëpamjen evolucionare që nuk ka botë shpirtërore – pra që është thjesht imagjinatë. Si pasojë, dhe natyrisht, të rinjtë ishin tërësisht të bindur që evolucioni shpjegon origjinat e gjërave. Ata ishin bërë entuziastë për gënjeshtrën që vargu i fosileve kishte prova të bollshme të evolucionit. Pasi citova disa nga faktet shkencore që gjenden në revistën Creation si dhe në faqet e CMI në internet, studentët universitarë u interesuan dhe së shpejti filluam të diskutonim rreth gjithçkaje që nga tema e së vërtetës përfundimtare e deri tek jetesat alternative.

Atje ku ekziston besimi tek evolucioni, nuk mund të ketë bazë logjike për të vërtetën absolute. E them ‘logjike’ sepse shumë njerëz përpiqen ta përziejnë evolucionin bashkë me Perëndinë. Kjo pikëpamje gëzon mbështetje pranë atyre në trupin e Krishtit të cilët përpiqen të ruajnë një ekuilibër delikat midis Perëndisë biblik dhe evolucionit, ide kjo e cila njihet gjerësisht si evolucioni teist – ky është i palogjikshëm.

Çështje anësore – ‘po po!’

Përsëri, dëgjoj vëllezërit e mi në kishën më të gjerë lokale duke pretenduar se çështja krijim/evolucion nuk është e rëndësishme ose nuk ka vlerë praktike, madje ‘do t’i largojnë njerëz me frikë nga krishterimi.’ Unë me anëtarët e grupit tonë të predikimit themi ndryshe – gjë që mbështetet nga eksperienca jonë duke ungjillizuar ata që na kalojnë rrugëve të premteve në darkë. Jo vetëm se ata ndalojnë për të biseduar me ne, por disa madje rrijnë për goxha kohë, duke lënë mënjanë ato plane të tjera që kishin për mbrëmjen.

Për shembull, pas një ore e gjysmë dhe pasi u kishin ikur dy urbane, dy studentët universitarë të sapopërmendur më falënderuan për bisedimin. Shprehje mirënjohjeje të këtilla janë normale në reagimin që marrim të premteve natën. Të rinjve u pëlqen të dëgjohen dhe të shqiptojnë mendimet që kanë mbi ‘çështjet e mëdha’ të jetës, si dhe të bisedojnë rreth tyre me të tjerët. Ja përse mendjet e reja të premteve natën në qytet vendosin të ndalojnë për të biseduar rreth gjërave të tilla të cilat shumica e kishës beson se ‘nuk kanë rëndësi’ për Ungjillin. Kur dëgjojnë përgjigje kuptimplota për ‘pyetjet e mëdha’ ata ndihmohen të mendojnë për pikëpamjen e vet si dhe për logjikën e besimit të krishterë. Ata mund të mos besojnë tek Ungjilli menjëherë, por kur të krishterët nisin t’i shkatërrojnë fortesat ateiste (2 Korintasit 10:5) me butësi e me druajtje (1 Pjetri 3:15), kjo patjetër që mbjell një farë në mendjen e të riut!

Ungjillizimi i krijimit është një vegël e shkëlqyer dhe puqet shumë mirë me mesazhin e ungjillit. Materialet që përdor disponohen në revistën Creation si dhe në faqet e CMI në internet. Të armatosesh me informacionin e duhur dhe të përgatitesh t’u japësh përgjigje disa pyetjeve themelore është strategji shumë e fuqishme për ungjillizimin e rinisë së sotme. T’u thuash njerëzve thjesht të besojnë tek Jezusi pavarësisht nga evidenca e supozuar për evolucionin është në fakt një arsye pse të mos besojnë. Nuk pres që një mendje e arsyeshme të justifikojë një kontradiktë.

Street preaching

Mbushja e shoqërisë me mendimet evolucionare vështirëson punën e ungjillizimit sot. Para 60 vjetësh një predikues rrugor nuk kishte nevojë të merrej kaq shpesh me pengesat e sotme që ia bllokojnë rrugën Ungjillit. Disa prej këtyre përfshijnë këndvështrimin evolucionist për fosilet, datimin me karbon, origjinën e racave dhe dinozaurët bashkë me shpjegimet e tyre që nënkuptojnë miliona vjet.

Më lejoni t’ju tregoj një shembull tjetër të një takimi një të premte natën – me një të ri të quajtur Danny. Ndërsa po kalonte, ai dëgjoi predikimin dhe ndejti për të na dëgjuar. Unë iu afrova dhe nisa një bisedë. Ai tregoi se kishte kaluar disa përvoja të këqija me familjen dhe nuk besonte më tek Perëndia siç besonte më parë. Danny kishte flakur tashmë pjesët intelektuale të besimit të tij falë ‘sulmeve’ të vazhdueshme nga evolucioni në shkollë. Ai nuk kishte përgjigje me të cilat ta mbronte besimin. Pasi i tregova se si Bibla mund të besohet, ai më pyeti, “A besoni tek historia e Adamit dhe Evës?” Danny tani kishte një interes të mprehtë për të mësuar më shumë. Pasi iu përgjigja ai më bëri shpejt një pyetje tjetër. “Po gjithë këta njerëz?” (D.m.th.: Nga erdhën gjithë racat?) Nga ana e jashtme Danny u përpoq të mbante terezi por fakti që dëgjoi këto informacione dukej qartë se e kishte prekur – e mora vesh kollaj që ishte shumë i gëzuar që mund të besonte përsëri tek Perëndia. Ai shtoi, “Ju më dhatë arsye për të braktisur dyshimet që kisha.”

I dhashë Danny një numër të revistës Creation dhe e nxita t’ia jepte të motrës pasi të kishte mbaruar së lexuari, sepse sipas fjalëve të Danny, “Ajo nuk është më e krishterë por ateiste.” Për habinë time ai më përqafoi dhe iku për të hipur në urban.

Natyrisht, disa dëgjues, qofshin në rrugë ose në vendin e punës, mund të mos ndihen rehat si pasojë e gjërave që themi, por nëse ju, si besimtar ungjillizues, përgatiteni me përgjigjet, të gjitha kundërshtimet nga njerëzit që ungjillizoni do të përballen më lehtë.

Dhe kur e sheh se si përgjigjet tuaja ndikojnë pozitivisht tek ‘Danny’-t atje jashtë, gjithçka duket se ia vlen ta bësh. Zoti është i mirë.