Explore
Also Available in:

Formimi natyralist i planetëve - tejet i vështirë

nga Michael J. Oard

Duke u nisur nga mënyra se si disa shkencëtarë flasin për formimin e planetëve, do të mendonit që procesi do të ishte i lehtë:

‘Sistemi ynë diellor u ndërtua nga pluhuri i yjeve të mbaruara. Është një fakt i përsëritur shumë herë.’1

Planets
Një teori e propozuar për formimin e planetëve nga materiale yjore të mbledhura. Mbetjet e një ylli të shpërthyer furnizojnë lëndën e parë. Ndonëse këto materiale besohet se mblidhen e bashkohen me anë të gravitetit, efekti i gravitetit është shumë i dobët për të lejuar këtë në kuadrin kohor që parashikon evolucioni. Mbetet edhe problemi nëse grimcat e vogla do të mblidheshin sadopak nën ndikimin e gravitetit.

Formimi i planetëve është vetëm një nga shumë procese evolucionare të supozuara që filluan me Shpërthimin e Madh dhe përfunduan me njerëz mbi Tokë pas shumë miliarda vjetësh. Meqenëse planetët ekzistojnë, evolucionistët arsyetojnë se ‘duhet’ të jenë formuar prej një reje pluhuri të quajtur nebula. Pluhuri duhet të zhvillohet pikësëpari nga yjet e mbaruara sepse pluhuri nuk zhvillohet drejtpërdrejt nga molekulat e gazrave. Kështu, pluhuri besohet të ketë ‘evoluar’ nga shpërthimi i një ylli në një supernova. Prandaj sistemi ynë diellor besohet të jetë produkti i një reje pluhuri të kolapsuar që ka ardhur nga një yll i shpërthyer. Këto janë deduktimet e thjeshta natyraliste, sipas supozimit që evolucioni është i vetmi mekanizëm.

Shumë njerëz mbeten të kënaqur nga kjo ide dhe nuk e çojnë më tutje. Por në qoftë se dikush donte ta zhbironte çështjen duke pyetur se si planetët në fakt u formuan prej pluhurit, ai do të merrte një përgjigje habitëse:

‘Por në qoftë se pyet se si ky pluhur filloi faktikisht të formonte planetë, mund të dëgjosh një heshtje të turpshme. Planetët, me sa duket, rriten shpejt - askush nuk e di përse pluhuri grumbullohet kaq shpejt.’1 [theksi i shtuar]

Në fakt, kjo ide mbahet nëpërmjet besimit, bashkë me disa procese të tjera teorike në konceptin e Shpërthimit të Madh. (Formimi i yjeve përballet me sfida të ngjashme me ato për formimin e planetëve.2 Ndryshimi kryesor është që yjet mbledhin më shumë masë nga reja e pluhurit. Duke qenë se formimi i yjeve dhe ai i planetëve kanë probleme të ngjashme, sa për të thjeshtësuar diskutimin do të shkruaj vetëm për origjinën natyraliste të planetëve.) Një artikull i kohëve të fundit në revistën New Scientist pranon që formimi natyralist i një planeti është tejet i vështirë.3

Evolucioni i supozuar i planetëve përmban katër hapa:

‘Një model i suksesshëm nebular duhet të shpjegojë me mjaft hollësi katër etapa të rëndësishme të evolucionit të sistemit diellor: formimi i nebulës nga e cila zënë fill planetët dhe dielli, formimi i trupave fillestare planetare, evoluimi i pastajshëm i planetëve, dhe shpërndarja e gazrave dhe pluhurit të mbetur. Modelet e sotme nebulare (ka më shumë se një të tillë!) japin shpjegime ngurruese për këto etapa, por shumë hollësi mungojnë. Asnjë model i sotëm nuk është plotësisht i kënaqshëm.’4

Sa për argumentin, do të supozoj pa provë që pluhuri ka mbetur nga një shpërthim supernove. Kjo është etapa e parë. Atëherë sipas hipotezës nebulare të Laplace, të cilën e paraqiti në fillim në 1796, procesi i formimit të planetëve, pra etapa e parë, fillon me kolapsin e thjeshtë të resë së pluhurit. Në kolapsin e resë së pluhurit dhe rritjen e planetit ka tre hapa teorike: 1) mbledhja e pluhurit nga graviteti që të formojë grimca të vogla, 2) bashkimi i grimcave ose i mbledhjeve të vogla për të formuar mbledhje të mëdha, dhe 3) kondensimi me anë të shtimit të atomeve dhe molekulave ndaj masës në rritje.5

Hapi më i rëndësishëm është i pari, pra, mbledhja e pluhurit nga graviteti që të formojë grimca të vogla. Në radhë të parë, kokrrat e pluhurit duhet të mblidhen për të formuar grimca të vogla, të cilat nga ana e tyre duhet të vazhdojnë të rriten deri sa të arrijnë diametrin prej të paktën 10 metra. Kjo madhësi është pika ku parashikohet se graviteti do të marrë përsipër procesin e mbledhjes, duke shtuar dhe kondensuar materiale me shpejtësi gjithnjë e në rritje. Atëherë nënplanetë gjoja do të formoheshin që të jenë disa kilometra të gjerë. Më në fund, këta parashikohen të përplasen duke formuar planetë. Këto hapa të fundit kanë probleme të vështira, por unë do të përqëndrohem në hapin e parë: si përplaset, ngjitet dhe rritet pluhuri para se graviteti të mundë të veprojë si faktor kryesor? Kjo është çështja e madhe. Grimcat e vockla të pluhurit duhet të përplasen drejtpërsëdrejti dhe t’i ngjiten njëra-tjetrës. Ky proces (i cili përsëri është temë hamendësimesh) është shumë i ngadaltë, sidomos në rajonet e ftohta të hapësirës, sipas astronomëve. Disa hipoteza janë me modë, por të gjitha duket se kanë të meta fatale.3

Steinn Sigurdsson ka flakur jashtë të gjitha hipotezat e propozuara sepse secila prej tyre ka shumë pak të ngjarë të ketë ndodhur ndonjëherë. Meqë planetët duken qartë se janë formuar dhe këta astronomë duhet të kapen pas besimit të tyre evolucionar, ai sugjeron një alternativë lindur thjesht nga dëshpërimi:

‘… ndoshta ka një dimension tjetër hapësinor ku vetëm graviteti vepron dhe i cili deri sot nuk është vënë re. Në këtë rast, graviteti - i cili është i dobët nëpër distanca të mëdha - forcohet nëpër distancat e vogla që përfshihen nga dimensioni i shtuar ….’6

Me fjalë të tjera, ai sugjeron që graviteti do të shtrihej në pesë dimensione, jo tre, dhe do të ishte shumë i fortë nëpër distanca shumë të shkurtra, duke bërë që pluhuri dhe grimcat e vogla të tërhiqen dhe të bashkangjiten nëpërmjet tërheqjes së gravitetit. Kjo me siguri do ta përshpejtonte e ta lehtësonte formimin e planetëve. Por kjo hipotezë e përfytyruar ka të paktën një problem delikat - kokrrat e pluhurit nuk mund të godasin shumë fort, përndryshe grimca në lindje do të copëtohej:

‘Kështu turbullimi brenda diskut [resë së rrafshët të pluhurit] nuk mund të jetë shumë i fortë, dhe përshpejtimi i shkaktuar nga graviteti i modifikuar i Sigurdssonit nuk mund të jetë tepër i skajshëm.’7

Në fakt kjo ide mund të testohet. Deri sot, dihet që ligji i Njutonit për gravitetin vlen edhe për distancën 218 μm, por eksperimente po bëhen për ta testuar për distanca akoma më të ngushta.7 Sigurdsson shpreson që mekanizmi i tij i supergravitetit do të dalë në skenë kur graviteti të testohet për distanca më pak se 80 μm. Mua më duket se në qoftë se ai ka të drejtë, ende mbetet problemi ‘i ngecur’ se si një grimcë kaq e vogël mund të rritet më shumë se 218 μm, ku mekanizmi i tij i hipotezuar nuk do të vlente.

Sigurdsson ka të ngjarë të ketë të drejtë, që të gjitha hipotezat e formimit të planetëve janë hamendësime të kuturisura. Ka akoma më të ngjarë që vetë hamendësimi i tij është akoma më i kuturisur sesa shumica, siç besojnë shumë astronomë. Kjo nuk u lë asgjë për të shpjeguar zhvillimin e planetëve, të paktën me anë të proceseve natyrore që veprojnë gjatë periudhave të gjata kohe. Një interpretim i drejtpërdrejtë i evidencave në dispozicion si dhe i gjendjes së hipotezave dhe problemeve të shumta, është që planetët nuk u formuan në mënyrë natyraliste por u krijuan në mënyrë të mbinatyrshme.

Referenca

  1. Anonim, Pulling power, New Scientist 171(2310):32, 2001. Kthehuni në tekst
  2. Bernitt, R., Stellar evolution and the problem of the ‘first’ stars, Journal of Creation 16(1):12–14, 2002. Kthehuni në tekst
  3. Ref. 1, fq. 32–34. Kthehuni në tekst
  4. Zeilik, M., Astronomy—The Evolving Universe, edicioni i tetë, John Wiley and Sons, Nju Jork, fq. 260–261, 1997. Kthehuni në tekst
  5. Zeilik, Ref. 4, f. 260. Kthehuni në tekst
  6. Ref. 1, f. 33. Kthehuni në tekst
  7. Ref. 1, f. 34. Kthehuni në tekst